Mirësevini në Dyqanin më të Mirë të Verës!
Rruga Kastriot Muço, Fier, Albania. Tel: +355 69 295 1806

RRETH NESH

“FABA”, HISTORI PASIONI, NJË DET ME SHIJE
 
“Faba” është historia e suksesit e fierakut Altin Driza, që pasionin per verërat e derdh në mijëra shishe në mbarë Shqipërinë
Në të hyrë të qytetit të Fierit, në të majtë të urës së  Vijës së Ngjalës, rreth 200 metra në thellësi, ndodhet një prej kantinave më të njohura në qytetin e Fierit, kantina “Faba”. Në krye të saj qëndron Altin  Driza, fieraku, që prej 26 vitesh jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. Rreth 14 vite më parë, ai mori këtu idenë dhe gjithë përvojën për të ngritur një prej kantinave më të njohura sot në tregun shqiptar të verërave dhe më të mirënjohurën në zonën e Fierit.

Tradita shqiptare e ka dashur gjithmonë që tryeza e shtëpisë të mbante gjithmonë në mesin e saj shishen e rakisë. Por vitet kaluan dhe miqtë e mirë tashmë nderohen me verë të mirë. Kështu shprehet Altin Driza, djali i verës “Faba”, të cilën ai e quan poezia e tokës.

Kantina “Faba” u themelua në vitin 2004 si një kantinë familjare  nga  z. Faik Driza, me qëllimin e vetëm  për t’i shtuar shijen tryezës familjare”. Por shumë shpejt, ambiciet e tejkaluan tryezën familjare, duke e hedhur verën “Faba” në treg për gjithë tryezat famijare shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër, Kantina “Faba” arriti të përcjellë në tregun shqiptar të verërave emocionin e papërshkueshëm të një historie të re, atë të transformimit të lëngut të rrushit në verë cilësore.

Pasioni dhe dashuria  u bënë bashkë dhe krijuan  moton e Kantinës “Faba”: “Të prodhojmë vetëm verë cilësore, shija dhe luksi janë ekskluzive”. Prodhimi i verës “Faba” vjen në tavolinën tradicionale shqiptare si art dhe si shkencë, si një përzjerje e krijimtarisë individuale të Altinit dhe teknologjisë inovative në kantinë.

Që në kontaktin e parë, Altini të përcjellë pasionin  dhe tërë dashurinë e tij për verën, nga mënyra sesi flet për të, nga dëshira për të treguar të gjithë kantinën dhe investimet e bëra në të, llojet e verërave “Faba”, fuçitë e lisit ku ruan si thesare dhe me nikoqirllëk verërat më të mira, ku sipas tij shkëlqen me gjithë magjinë e shijes vera “Kabërnelo”.


Të prodhosh verë nuk është njëllojë si të ngresh pallate që ndërtohen dhe shiten, e që këtu shkëputen lidhjet. Vera është shpirt, është shpirti i futur në një shishe vere, është gjallesë, lidhjet me të cilën janë afatgjata, me vite të tëra, aty në fuçitë e lisit, teksa ajo ruhet dhe stazhonohet për t’u bërë super verë. Thuhet se që të dalë verë e mirë, duhet të jesh njeri i mirë, pasi shpirti i tij duhet të futet në shishe.

 

Kantina Faba, teknologjia dhe kultivarët shqiptarë.

Sot, përsosmëria e Kantinës “Faba” kalon përmes investimit të fjalës së fundit të teknologjisë së prodhimit të verërave. Altini tregon se në kantinë ka bërë investime afatgjata me fjalën e fundit të teknologjisë së macerimit dhe fermentimit të lëngut të rrushit. Vjetërimi në fuçi lisi i verërave të kuqe të viteve më të mira, ka bërë të mundur krijimin e një game super cilësore.

  • Kantina Faba numron 9 etiketa vere dhe 3 etiketa rakie.
  • Kultivarët që përbëjnë sot verën “Faba” janë sheshi i zi, kabërnet sauvignon, merlot, san giovese, chardonnay, riesling  dhe vlosh.
  • Faba disponon 20 ha vreshta, të cilave u shërbehet me shumë përkushtim, dashuri dhe pasion. Pjesa më e madhe e vreshtarisë, dominohet  nga  Kabernet sauvignon,  merlot  dhe san giovese.
  • Dy ha prej tyre i ka vresht të varietetit shqiptar “Shesh i Zi” dhe 8 dynym vresht “Vlosh” në zonën e Cakranit, vendosur në kodra me pozicione dominuese në raport me diellin.
  • Por për Altinin, Sheshi i Bardhë dhe Vloshi mbetet ndër varietetet më të mira shqiptare. “Nëse fermentimi bëhet në temperaturën e duhur, vilet në momentin e duhur, do të sillnim një verë një verë shumë aromatike”.
  • Prodhimi vjetor i Kantinës shkon deri në 1000 kv, ndërsa kapaciteti prodhues është 3000 kv.
  • Në kantinë ndodhen rreth 300 000 shishe, ku përfshihen dhe rezerva.

Vera “Kabërnelo”, e bërë me rrush “Sangiovese” dhe “Kabërnet”, e vjetëruar për 24 muaj në fuçi druri, mbetet një nga verërat më të mira të Kantinës “Faba”.

Sot Kantina “Faba” tregton verërat e veta në gjithë Shqipërinë, kryesisht në vinoteka dhe restorante te zgjedhura. Ndërsa mbetet ndër verërat më të preferuara për fierakët. Në qytetin e Fierit Kantina “Faba” ka hapur edhe vinotekën e vetë, ku tregton të gjitha llojet e verërave dhe rakisë për të gjithë dashamirësit e verës “Faba”.
Kantina “Faba”, së shpejti një pikë pritjeje agroturistike.

Altini sot është një ndër prodhuesit e mirënjohur të verërave në vend. Por ambiciet e tij nuk përfundojnë këtu. Ndër synimet më të afërta të Kantinës “Faba” është kthimi i saj në një pikë agroturistike. Një qendër pritëse që do të hapë dyert për çdo turistë që hyn në qytetin e Fierit, duke iu ofruar atyre një infrastrukturë të dedikuar turistike, për degustimin e të gjitha llojeve e verërave të saj, vizitë në hapësirat e mëdha të kantinëspër të parë nga afër proçesin e fermentimit të lëngut të rrushit dhe vjeterimit e saj në fuçi lisi si dhe guida turistike nëpër  vreshtat e kantinës “Faba”.

Minimum 4 characters